Vidovdani: Ndërmjet Mitit dhe Manipulimit Politik

Më 28 qershor, serbët përkujtojnë Vidovdanin – një datë me rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe mitologjike për identitetin serb. Shën Vidi (Sveti Vid) ishte një djalë i ri i krishterë, i cili refuzoi të mohojë besimin e tij, prandaj u torturua dhe u martirizua. Ky motiv i vuajtjes dhe sakrificës për një ideal më të lartë përputhet me narrativën historike serbe, që e sheh veten si një komb i sakrificës. Narrativa e Shën Vidit i ka shërbyer për dekada të tëra jo vetëm politikës hegjemoniste, por sidomos Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka bekuar shumicën e krimeve të kryera në territoret e ish-Jugosllavisë. Beteja e Kosovës, ku ushtria serbe e udhëhequr nga princ Llazari u përball me forcat osmane të sulltan Muratit, është një moment më shumë simbolik sesa historikisht i qartë. Narrativa e krijuar nga kjo betejë është shndërruar në një identitet të bazuar mbi flijimin, i cili do të përsëritej me ngulm për shekuj nga kleri ortodoks, intelektualët nacionalistë dhe më vonë politikanët, të cilët këtë datë e shfrytëzojnë edhe sot për qëllime të tyre politike.

Gjatë viteve ’80, situata në Jugosllavi filloi të përkeqësohej ndjeshëm. Si pikënisje për ndërtimin e një “Serbie të Madhe” u pa suprimimi i autonomisë së Kosovës, me pretekstin se shqiptarët po kërcënonin stabilitetin e federatës jugosllave. Dhunës sistematike i parapriu një propagandë e egër serbe dhe një viktimizim i qëllimshëm i serbëve të Kosovës, të cilët paraqiteshin si të rrezikuar e të sulmuar nga shqiptarët. Shembulli më i përdorur ishte rasti i Martinoviqit, i cili u shndërrua në një simbol të rremë të “rrezikut shqiptar”. Ardhja në pushtet e “kasapit të Ballkanit” Slobodan Millosheviq, fillimisht si kryetar i Partisë Komuniste të Serbisë, i shtyrë dhe i mbështetur nga miku dhe mentori i tij, Ivan Stambolliç, shënoi kthesën drejt nacionalizmit agresiv. Millosheviqi filloi me ndryshime në Kushtetutën e Serbisë, duke e shfuqizuar në mënyrë efektive autonominë që Kosova e kishte fituar në vitin 1974. Më 25 gusht të vitit 2000, Ivan Stambolliç u rrëmbye nga pjesëtarë të njësisë speciale famëkeqe “Beretat e Kuqe” (Crvene Beretke), dhe më pas trupi i tij u gjet i pajetë. Për këtë akt, përgjegjës konsiderohet vetë dishepulli i tij Slobodan Millosheviq.

Me suprimimin e autonomisë së Kosovës, terreni ishte i hapur për nacionalizmin serb të organizuar. Gjatë një vizite në Fushë Kosovë, Millosheviqi reagoi ndaj një ankese të një qytetari serb që i tha: “Po na rrahin shqiptarët”. Millosheviqi iu përgjigj me frazën që do të bëhej legjendare: “Askush nuk guxon t’ju rrahë.” Kjo deklaratë u shndërrua në sinjalin e qartë se Serbia po hynte në një epokë të re konfrontimi. Këtë e dëshmon edhe lideri i serbëve të Kosovës, Miroslav Solevic, i cili pas gati dy dekadash tregoi se vetë ai kishte qenë iniciator i gjithë provokimeve. Ai kishte nxitur serbët të gjuanin me gurë policët, ku  shumica ishin shqiptarë, për të nxitur një reagim dhe për të krijuar një pretekst për dhunë. Solevic pohon se Millosheviqin nuk e bënë lider serbët e Kosovës, por se ata e fuqizuan si lider të padiskutueshëm të nacionalizmit serb. Në qershorin e vitit 1989, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, Slobodan Millosheviqi mbajti një nga fjalimet më të njohura të karrierës së tij politike, në Gazimestan. Ai deklaroi: “Sot, pas gjashtë shekujsh, ne jemi sërish në beteja dhe sërish përpara betejave.” Me këtë frazë, Millosheviqi nuk përkujtonte thjesht një betejë të largët historike, ai paralajmëronte shpërbërjen e Jugosllavisë dhe rolin dominues që Serbia kërkonte të kishte në atë proces.

Vuçici si vazhdues i një tradite

Aleksandar Vuçici, ish-ministër i propagandës gjatë regjimit të Millosheviqit dhe aktualisht president i Serbisë, është një figurë që përçon një ambivalencë të thellë në politikën serbe dhe ndërkombëtare. Nga njëra anë, ai paraqitet si një politikan pragmatist, i gatshëm për dialog me Perëndimin dhe për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Por nga ana tjetër, ai përdor mitologjinë e Vidovdanit dhe simbolikën e Kosovës për të mobilizuar një bazë elektorale nacionaliste, të lidhur emocionalisht me narrativën tradicionale serbe. Çdo vit, rreth datës së Vidovdanit, Vuçici bën deklarata shpesh të dykuptimta: nga njëra anë pohon se “Serbia dëshiron paqe”, por nga ana tjetër thekson se “Kosova është zemra e Serbisë” dhe se ajo do të mbetet pjesë e Kushtetutës serbe. Dallimi mes Millosheviqit dhe Vuçiqit është kryesisht në stil, jo në përmbajtje. Ndërsa Millosheviqi përdorte gjuhë të drejtpërdrejtë e të ashpër, Vuçici përdor një retorikë të dyfishtë, duke u dhënë audiencave të ndryshme, në Beograd dhe në Bruksel mesazhe të ndryshme. Ai është mjeshtër i kontrollit të mediave, i instrumentalizimit të simbolikës historike dhe i ruajtjes së status quo-së, duke shmangur çdo hap real drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën. Fajin për këtë lojë të dyfishtë e ka edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila shpesh e toleron dhe e përkëdhel Vuçiqin, pavarësisht se Serbia, së bashku me Bjellorusinë, janë të vetmet vende evropiane që nuk kanë vendosur sanksione kundër Rusisë së Putinit. Edhe sot, kur përballet me protesta të fuqishme në Serbi, Vuçiqi përdor serbët e Kosovës për t’i ardhur në ndihmë, duke luajtur rolin e viktimës. Ndërkohë, si “roje të afërt” mban strukturat ilegale serbe në veri të Kosovës , të njëjtat që organizuan sulmin terrorist në Banjskë, ku humbi jetën heroi Afrim Bunjaku.Përdorimi i Vidovdanit si instrument propagandistik, në vend të reflektimit historik, është dëshmi e mungesës së një vetëdijeje demokratike në shoqërinë serbe. Derisa Vidovdani të shihet si kujtim dhe jo si urdhër, Serbia do të vazhdojë të jetojë në shekullin XIV dhe rajoni do te jete gjithmone nen kercnime dhe tensione.

Autori Jeton Brajshori