Flamuri i ISIS mbi çatinë e shtëpisë dhe hija e ideologjisë hazimite në Kosovë
- 13/05/2025
Nga Halil Morina- Instituti për Tolerancë dhe Mendim Kritik – Kritikos
Arrestimi i vëllezërve Denis dhe Enis Bytyqi në periferi të Prishtinës, të cilët kishin vendosur flamurin e organizatës terroriste ISIS mbi çatinë e shtëpisë së tyre, shënonte një ndër alarmet më të drejtpërdrejta për sigurinë ideologjike të vendit. Përtej aktit provokues dhe të paligjshëm, që në vetëvete përbën thirrje për dhunë, ngjarja nxori në pah një rrymë pak të njohur të ekstremizmit fetar që ka depërtuar në disa qarqe të mbyllura – ideologjinë e ndjekësve të Ahmad Ibn ‘Umar al-Hazimit, një klerik saudit i panjohur për opinionin e gjerë, por me ndikim tejet të dëmshëm në qarqet më të ashpra të radikalizmit islamik.
Ahmad al-Hazimi, i lindur në Mekë dhe i formuar në margjinat e rrjeteve të pavarura selefiste, nuk u afirmua ndonjëherë si pjesë e institucioneve klasike të dijes në botën arabe. Ai u bë i njohur për ligjëratat e tij të fokusuara pothuaj ekskluzivisht në çështjet e besimit dhe kufrit, duke e zhvilluar një lexim teologjik ku përjashtimi dhe anatema ndaj çdo kundërshtari ideologjik merrin formën e vetë devotshmërisë. Pikërisht ky stil i ligjërimit – i mbështetur në terma të vjetër të jurisprudencës islamike, por i përdorur për të krijuar një narrativë të re për identitetin fetar – e bëri atë tërheqës për individë që kërkonin një doktrinë “të pastër” dhe ndarëse.
Në fillim të viteve 2010, Hazimi u bë i njohur në qarqet xhihadiste të Afrikës së Veriut. Ligjëratat e tij qarkulluan në Algjeri, ku pati edhe disa vizita për të predikuar, dhe ndikimi i tij u ndje thellë në krijimin e bërthamave ideologjike që më pas prodhuan luftëtarë për ISIS-in në Siri dhe Irak. Në thelb, ai predikonte se kushdo që nuk e shpall jobesimtar një njeri që është qartësisht i tillë, bëhet vetë jobesimtar. Kjo ide, që në fillim u perceptua edhe nga qarqet e tjera salafiste si absurde, shpejt fitoi terren në qarqe ku tekfiri shihej jo thjesht si akt i deklaruar, por si provë e imanit të sinqertë. Ndjekësit e tij më të përkushtuar mbrojnë idenë se zinxhiri i tekfirit nuk ka fund, dhe se heshtja apo mëshira ndaj tjetrit janë shenja të devijimit nga besimi.
Kjo qasje nuk mbeti pa pasoja – madje as për vetë themeluesin e saj. Në vitin 2015, Ahmad al-Hazimi u arrestua nga autoritetet saudite, i akuzuar për nxitje të përçarjes dhe ekstremizëm fetar. Që prej asaj kohe, ai është zhdukur nga hapësira publike, por mësimet e tij vazhdojnë të qarkullojnë në qarqet më të mbyllura të botës arabe dhe përtej. Hazimizmi nuk është thjesht një fraksion i xhihadizmit – është një sekt brenda sektit, i aftë të shpallë jobesimtarë edhe vetë xhihadistët, nëse nuk përputhen me formulimet e tij të ngurta dhe përjashtuese.
Kjo logjikë dogmatike e çoi këtë rrymë në përplasje të drejtpërdrejtë edhe me vetë lidershipin e ISIS-it. Ndjekësit e Hazimit brenda kalifatit të vetëshpallur akuzonin ideologët zyrtarë të ISIS-it për “mos-takfir” ndaj atyre që nuk bënin takfir ndaj jobesimtarëve – një përjashtim zinxhir që e bënte praktikisht të pamundur për dikë të mbetej “i pastër” në sytë e tyre. Kjo solli një konflikt tejet serioz mes hazimistëve dhe figurave të larta të ISIS-it, si Turki Al Binali, një teolog nga Bahrejni që kundërshtoi me forcë metodologjinë hazimite, duke e konsideruar atë devijim dhe sëmundje intelektuale brenda trupit të xhihadizmit. Ky konflikt e thelloi ndarjen ideologjike dhe
çoi në përjashtime, ekzekutime të brendshme dhe luftë fraksionesh edhe brenda vetë strukturës së ISIS-it – një dëshmi e qartë se përjashtimi i skajshëm nuk kursen askënd, as edhe ata që predikojnë dhunën si mjet të shenjtë.
Në Kosovë, ndikimi i kësaj rryme është i kufizuar në numra, por i thellë dhe i rrezikshëm në mënyrën se si strukturohet dhe vepron. Ai nuk depërton përmes xhamive apo institucioneve fetare të mirënjohura, por përmes rrjeteve të mbyllura të komunikimit dhe qelizave të vogla të vetizoluara, shpesh brenda familjes apo rrethit të ngushtë shoqëror. E veçanta është se kjo ideologji tashmë nuk është më e pranishme vetëm në format klasike të shpërndarjes nën dorë; ajo po e gjen terrenin e saj të ri në rrjetet sociale. Disa faqe në platforma si YouTube, Facebook dhe TikTok publikojnë dhe promovojnë ligjërata të Al-Hazimit, të titruara në gjuhën shqipe, duke u bërë kështu një kanal i drejtpërdrejtë për rekrutimin ideologjik.
Nëpërmjet këtyre platformave, përçohen video-mesazhe që i japin një gravitet të rremë dijes së tij teologjike, duke e paraqitur si të vetmen alternativë të pastër të fesë, në kontrast me “devijimet” që, sipas tyre, përfaqësohen nga të gjithë të tjerët – përfshirë këtu edhe imamët lokalë institucionalë. Pasuesit e kësaj ideologjie janë të prirë të refuzojnë çdo bashkëpunim me institucionet fetare të vendit, të mos pranojnë dialog me imamët tradicionalë dhe të praktikojnë adhurimin në mënyrë të izoluar e të heshtur. Në disa raste, individët e radikalizuar që ndjekin këtë rrymë mbajnë kontakte me ndjekës të tjerë jashtë vendit përmes platformave të koduara të komunikimit dhe rrjeteve të shpërndarjes së materialeve audiovizuale.
Kjo mënyrë funksionimi, e kombinuar me një gjuhë teologjike që i jep justifikim refuzimit të tjetrit, e bën hazimizmin një fenomen me potencial fragmentarizues për strukturën sociale dhe fetare të Kosovës. Ideologjia e përjashtimit, e ngulur mbi parimin se besimi matet me aftësinë për të dënuar tjetrin si jobesimtar, nuk është thjesht e papajtueshme me vlerat demokratike dhe tolerante – ajo është kërcënim i drejtpërdrejtë për to.